Max Verstappen me Red Bull fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Holandës në Formula 1 zhvilluar në pistën e Zandvoort, duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion bote në Formula 1. Në pistën e shtëpisë, piloti holandez bëri një garë të mirë, i ndihmuar edhe nga fati në fund, kur në pistë hyri makina e sigurisë.

Në vendin e dytë u rendit makina Mercedes e George Russell, ndërkohë që në podium u ngjit edhe Charles Leclerc me Ferrari. Një garë ku strategjitë e ndryshme të skuadrave dhe gomat e përdorura ndikuan në fundin e garës dhe ai që u penalizua në këtë rast është Lewis Hamilton, që u rendit i katërti, ndërkohë që me pak fat edhe mund ta kishte fituar atë.

Një garë me pak emocione në pjesën e parë të saj, por në gjysmën e dytë, fillimisht falë “makinës së sigurisë virtuale” dhe më pas kur në pistë hyri “makina e sigurisë”, strategjitë u përmbysen. Gara bëhet më tërheqëse, me Verstappen që përfiton dhe arrin të marrë një fitorë të rëndësishme para publikut të tij.

Në zonën e pikëve u renditën Sainz (u penalizua pas garës dhe zbriti në vendin e tetë), Perez, Alonso, Norris, Ocon e Stroll. Për Verstappen, kjo është fitorja e 10-të sezonale. Një fitore që e afron holandezin me titullin kampion, pasi mori të tjera pikë të rëndësishme dhe tashmë udhëheq me 109 pikë ndaj Leclerc e Perez, në vendin e dytë.