Mohamed Salah bëri historinë e Ligës së Kampionëve me një “hat-trick” në kohë rekord në fitoren 7-1 të të tijve ndaj Rangers në Ibrox.

Egjiptiani luajti si zëvendësues, pasi erdhi nga stoli për të shënuar tri herë në 6 minuta e 12 sekonda. Ky është “hat-trick” më i shpejtë në historinë e kompeticionit.

Të tre golat e “Faraonit” u asistuan nga i njëjti lojtar, Diogo Jota, hera e parë që ndodhte diçka e tillë që nga viti 2012.

Koha e “hat-trick” të Salah prej 6 minutash e 12 sekondash mposht rekordin e vendosur më parë nga Bafetimbi Gomis, i cili shënoi tre gola në 8 minuta për Lyon, kundër Dinamo Zagrebit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve 2011-2012.

I kthyer te golat, Salah do të presë të luajë si startues me “Reds”, kur të përballen me Manchester City e Pep Guardiolës në Premier League, të dielën.