Sipas informacioneve që kanë dalë nga një burim afër familjes Beckham dhe të mbledhura nga revista britanike Heat World, Victoria Beckham duket se është e “irrituar dhe zhgënjyer” nga “dështimet” profesionale të djalit të madh, Brooklyn.

Një javë më parë ka dalë lajmi se Brooklyn është shkarkuar si model i markës Superdry, me të cilën kishte nënshkruar një kontratë prej 1 milion dollarësh vetëm tetë muaj më parë.

Sipas njoftimit të kompanisë, është vendosur t’i jepet fund bashkëpunimit për “të punuar me një gamë të ndryshme talentesh për Pranverë/Verë 22”.

Megjithatë, burimi siguron se, në të vërtetë, Brooklyn nuk ka marrë pjesë në sesionet dhe fushatat që Superdry kishte në program sepse “nuk përputheshin me agjendën e tij”.

Siç kanë bërë të ditur mediat britanike, Victoria është marrë shumë me Brooklyn dhe i kishte siguruar një kontratë për ta ndihmuar që të “ndërtojë një të ardhme”.

“Victoria është me të vërtetë e zemëruar dhe e irrituar për Brooklyn. Ka punuar shumë për ta fituar këtë kontratë me Superdry. Duhej ta kishte ndihmuar të ndërtonte profilin e tij dhe t’i jepte pak besueshmëri, në mënyrë që të fillonte të ndërtonte një të ardhme”, ka vazhduar burimi.

“Çdo agjenci për të cilën ka punuar është zhdukur dhe kjo është shumë e rëndë për Victoria-n. Për më tepër, kjo situatë ka një ndikim të keq te marka Beckham.

“Victoria dhe David kanë punuar kaq shumë për të arritur aty ku janë dhe është një zhgënjim i madh të shikosh Brooklyn ta shpërdorojë këtë mundësi”.