Përpara disa ditësh, në faqen e ‘Telemedia’ sollëm për ju historinë e dy vëllezërve, Ted dhe Geoff, të cilët nuk janë takuar me njëri-tjetrin prej 77 vitesh, që nga viti i largët 1945.

Por tashmë, kemi një lajm të mirë! Ata më në fund kanë arritur të shihen së bashku e të takohen me njëri-tjetrin në Australi, aty ku Geoff jeton që kur ka qenë i vogël.

Edhe pse dy vëllezërit e kishin planifikuar këtë takim të munguar që prej vitit 2020, për shkak të pandemisë që preku globin, nuk u bë e mundur.

Por të dielën, Ted, 83 vjeç udhëtoi drejt Australisë, me një qëllim të vetëm, të takonte vëllain e tij të vogël e shumë të munguar, i cili u dha për birësim nga i ati pas vdekjes së nënës së fëmijëve të tij.

Video e takimit mes tyre është bërë virale në rrjet, teksa pas takimit Geoff u shpreh: ‘Është e pabesueshme, e mahnitshme. Më në fund kam takuar vëllain tim’.

Vëllai i madh i familjes, John ka ndërruar jetë vite më parë, ndërsa Barry për arsye shëndetësore nuk mundi të udhëtojë drejt Australisë.