Vllaznia ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Teutës me rezultatin 1-0. Kuqeblutë fituan ndaj durrsakëve dhe morën një fitore që i shkëput nga ndjekësit në krye të tabelës së klasifikimit.

Takimi i luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” ishte mjaft i bukur dhe me shpirt të lartë gare nga të dy ekipet. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga sulmuesi Ardit Hoxhaj. Ai mori një top mjaft të mirë në minutën e 59′ dhe e dërgoi në rrjetë për 1-0.

Sulmuesi vlonjat u kthye nga “ëngjëll” në “djall”, pasi vetëm pas 11 minutash doli me të kuqe. Ai ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Denis Pjeshkës duke e merituar kartonin e kuq. Sulmuesi çoi takat duke goditur në këmbë mbrojtësin e durrsakëve.

Vllaznia u mbrojt mirë dhe deri në fund të ndeshjes nuk u ça në mbrojtje. Teuta u mundua, por nuk ia arriti të barazonte rezultatin. Kuqeblutë mbeten në vend të parë me 29 pikë, ndërsa durrsakët të dytët me 20 pikë.