Gana ka raportuar dy raste të dyshuara të virusit Marburg, një sëmundje shumë ngjitëse që shkakton ethe hemorragjike me vdekshmëri të lartë. I përket të njëjtës familje si Ebola, por është më pak vdekjeprurëse.

Aktualisht nuk ka asnjë kurë apo vaksinë dhe manifestohet me simptoma të tilla si dhimbje koke, temperaturë të lartë dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme. Mostrat e gjakut nga të dy rastet u dërguan për konfirmim në qendrën kërkimore të Institutit Pasteur në kryeqytetin senegalez Dakar.

Këtë e saktësoi shërbimi shëndetësor i Ganës, duke shtuar se 34 personat që kanë pasur kontakt me rastet e raportuara janë identifikuar dhe vendosur në karantinë.

Quhet virusi Marburg sepse vala e parë e njohur, me rreth 30 persona të prekur, ndodhi në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1967, në Marburg dhe Frankfurt, me dy raste të tjera në Beograd, Jugosllavi. Ai u shkaktua nga disa majmunë të infektuar, të cilët u dërguan në tre laboratorë të ndryshëm në Europë.

Paralajmërimi i OBSH-së

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raportoi se, nëse konfirmohen, ato do të ishin rastet e para të Marburgut në Ganë, duke paralajmëruar se “përgatitjet për përgjigjen ndaj një epidemie të mundshme duhet të bëhen shpejt, ndërkohë që janë duke u zhvilluar hetime të mëtejshme”.

OBSH tha se Guinea konfirmoi një rast të virusit në shtator 2021. Sipas të dhënave, raste të mëparshme dhe sporadike të virusit Marburg në Afrikë janë raportuar në Angola, Republikën Demokratike të Kongos, Kenia, Afrikën e Jugut dhe Ugandë.

Rreziku epidemi

“Autoritetet shëndetësore janë në terren për të hetuar situatën dhe për t’u përgatitur për një përgjigje të mundshme ndaj epidemisë.

“Ne po punojmë ngushtë me vendin për të rritur zbulimin, për të gjurmuar kontaktet dhe për të qenë gati për të kontrolluar përhapjen e virusit”, tha Dr. Francis Kasolo, përfaqësues i OBSH-së në Ganë.