Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka bërë publike se viti i ri shkollor 2022-2023 për nivelin parauniversitar, do të nisë më 12 shtator. “Nënshkruam strukturën e vitit të ri shkollor 2022-2023 për të gjithë arsimin parauniversitar, i cili fillon më datë 12 shtator 2022”, thotë Kushi në rrjetet sociale.

Ajo ka konfirmuar gjithashtu, se në fillim të prillit 2023, shkollat do të jenë një javë pushim. “Për nxënësit dhe mësuesit e arsimit 9-vjeçar lajmi i mirë është se vitin e ardhshëm do të kenë edhe një javë më shumë pushim pas periudhës së dytë mësimore, nga data 3-9 prill 2023”, thotë Kushi.

Në këto ditë nxënësit do të pushojnë por edhe luajnë e argëtohen për të marrë energji të reja për periudhën e fundit, ndërsa mësuesit do të kenë më shumë kohë për vlerësimet e nxënësve dhe përgatitjet në vijim”, shkruan Ministrja e Arsimit.

Vjet në shtator, për shkak të pandemisë “Covid 19”, shkollat nisën me vonesë. Madje në dy javët e para u bë një përsëritje e mësimeve të një viti më parë, për të plotësuar boshllëqet që nxënësin kishin kur shkolla ishte on-line. Këtë vit mësimi është zhvilluar normalisht në shkolla dhe situata ka qenë më e qetë.