Vllaznia pret nesër Partizanin, në një sfidë rivalësh për kreun dhe titullin. Kuqeblutë kanë dy pikë më shumë se kryeqytetasit e Ilir Dajës për momentin, në prag të javës së 26-të të Superiores. Trajneri Thomas Brdaric ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka analizuar gjithçka:

“Nesër luajmë ndaj një kundërshtari shumë të fortë, e kemi vëmendjen kryesore te Partizani. Që në fillim e kam thënë se është një garë e gjatë, pa pushim. Kampionati nisi me vonesë dhe ne u përgatitëm. Edhe kjo pauzë na bëri mirë, kemi marrë energji, duke dashur të rikuperojmë ndeshjet e dobëta. Kemi dashur edhe të rikuperojmë lojtarët.

Mungesat? Është një proces i gjatë për t’i kthyer lojtarët në formën më të mirë. Disa lojtarë nuk kanë qenë prej dëmtimeve apo kartonëve, por është diçka që ndodh. Nesër do të jetë një ndeshje e fortë, do të hedhim në fushë 11 lojtarët më në formë. Kruja do të luajë në vendin e Gurishtës. Kemi lojtarë që ta plotësojmë formacionin. Nuk kanë rëndësi emrat, mjafton të më tregojnë në stërvitje se përse do të jenë në fushë.

Imami? Është kthyer në stërvitje, por ka sërish një dëmtim dhe nuk është në 100 për qind. Them se ka nevojë për më shumë pushim që të jetë gati. Nuk do të luajë nesër. Kundërshtari? E kam studiuar shumë mirë Superligën dhe e njoh çdo skuadër. Partizani është ndër skuadrat më të forta dhe ka aftësi të mëdha teknike. Ndeshja është përgatitur mirë nga ana jonë, për të marrë maksimumin.

Da Silva? Do të hedhim në fushë 11 lojtarët më në formë. Victor është një lojtar shumë i mirë, që na ndihmon. Do të shohim si do të shkojë ndeshja nesër dhe do të vendosim si do të luajmë, me ose pa të. Ka bërë vetëm dy seanca stërvitore dhe nuk është në formë optimale për nesër. Vllaznia-Laçi në Kupë? Sa për shortin, më gëzon fakti që do të luajmë në shtëpi. E dimë që është rival i fortë, por secili që ka mbërritur në këtë fazë është i rrezikshëm. Pas Partizanit do të mendojmë për këtë takim.

Licencimi, a e motivon skuadrën? Duhet të qëndrojmë te performanca jonë në fushë, të mos ndikohemi nga çfarë ndodh rrotull. Ta kemi mendjen në fushë, sepse Albani dhe Voltana po merren me këtë çështje. I falënderoj shumë, por ne si ekip duhet ta kemi mendjen vetëm te fusha. Është lajm i mirë licensimi në Europë, por s’më takon të flas. Kjo është gjë me vlerë për Shkodrën dhe futbollin”.