Anija kozmike” Voyager 1” e lëshuar nga planeti yne 45 vite më parë, vijon udhëtimin e saj në hapësirë, tashmë përtej sistemit tonë diellor. Por tani, anija veterane e hapësirës, po dërgon sinjale dhe të dhëna të çuditshme, që kanë befasuar inxhinierët, që s’janë ende në gjendje t’i deshifrojnë ato.

NASA u shpreh se ndërsa sonda ende funksionon mjaft mirë, leximet nga sistemi i artikulimit dhe kontrollit të qëndrimit të saj (shkurt AACS) nuk duket se përputhen me lëvizjen dhe orientimin e saj në hapësirë. Duket sikur anija është e hutuar për vendndodhjen e sja në hapësirë.

Sistemi AACS është thelbësor që “Voyager 1” të vijojë të dërgojë të dhëna te NASA në lidhje me mjedisin ndëryjor përreth, ndërkohë që mban antenën e anijes drejt planetit tonë. “Ky është një mister që deri diku e prisnim në këtë fazë të misionit “Voyager 1” në hapësirë”, thanë drejtuesit e NASA.

Suzanne Dodd, një nga menaxheret e projektit “Voyager 1” dhe “Voyager 2”, më tej shtoi: “Anijet kozmike janë të dyja thuajse 45-vjeçare, një moshë që është shumë më tepër nga ajo që ishte planifikuar për këtë mision”. Për sa i përket anijes ”Voyager 2”, ajo po sillet normalisht në hapësirë.

Sipas inxhinierëve të NASA, sistemi AACS i “Voyager 1”, po dërgon të dhëna të krijuara rastësisht, që “nuk reflektojnë atë që po ndodh në të vërtetë në bordin e saj”. Edhe nëse të dhënat e sistemit sugjerojnë të kundërtën, antena e anijes kozmike duket se është e rreshtuar siç duhet, ajo merr dhe ekzekuton komanda nga NASA dhe po dërgon të dhëna përsëri në Tokë. Problemi i sistemit nuk e ka shkaktuar anijen kozmike “të plakur” të kalojë në “modalitet të sigurt”, gjatë së cilës ajo kryen vetëm operacione thelbësore.

“Voyager 1” është nisur në vitin 1977 për të eksploruar planetët e jashtëm në sistemin tonë diellor. Ai ka mbetur funksional përtej pritshmërisë, ndërkohë që vazhdon të dërgojë informacione rreth udhëtimeve të tij në Tokë. Anija u largua nga sistemi ynë diellor dhe hyri në hapësirën ndëryjore në vitin 2012. Tani është 14.5 miliardë milje larg nga Toka, duke e bërë atë objektin më të largët në hapësirë të krijuar nga njeriu.