Të gjithë e dimë që artriti është një sëmundje inflamatore e kyçeve, që kohë më parë prekte vetëm moshën e tretë, ndërsa vitet e fundit ka nisur të prekë edhe moshën e re. Kjo sëmundje shkakton probleme, duke dëmtuar seriozisht edhe cilësinë e jetës.

Për të zvogëluar, apo për të zbutur simptomat e artritit, sipas hulumtimeve duhet të eliminohen disa ushqime që ndikojnë në theksimin e kësaj sëmundjeje.

Eliminimi i sheqerit – Shumica e njerëzve janë të prirur të konsumojnë shumë sheqer, por marrja e këtij ushqimi duhet kufizuar nga të gjithë, e kryesisht nga njerëzit që vuajnë nga artriti pasi sheqeri ka tendencën të përkeqësojë simptomat e artritit. Eliminoni pijet me gaz, ëmbëlsirat, lëngjet e blera në dyqan etj.

Konsumi i lartë i mishit të përpunuar dhe mishit të kuq gjithashtu ndikon në rritjen e simptomave të artritit. Kështu që të gjithë ata që vuajnë nga kjo sëmundje duhet të minimizojnë konsumin e këtij mishi.

Gluteni është një tjetër ushqim që thekson artritin. Gluteni si proteinë gjendet në drithëra si elbi, gruri dhe thekra.

Hiqni dorë gjithashtu nga ushqimet e përpunuara si fast food-et, drithërat e ëmbla dhe produktet e pjekura pasi mund të shkaktojnë inflamacion dhe përkeqësojnë simptomat e artritit.

Alkooli gjithashtu mund të shkaktojë përkeqësim të kësaj sëmundjeje dhe për këtë arsye duhet ta përjashtoni ose kufizoni konsumin e tij.

Kripa është një tjetër produkt që është faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjes së artritit. Konsumoni ushqime me sa më pak kripë dhe mundësisht eliminojeni nga vaktet tuaja.

Hiqni dorë nga konsumi i lartë i ushqimeve të pasura me yndyrë omega-6 dhe bëni një kombinim me ushqime të pasura me yndyrë omega-3. Kjo mund t’ju ndihmojë në lehtësimin e simptomave të artritit.