Sikurse njofton “Klan Kosova”, një ngjarje aspak e hijshme është konstatuar në një ceremoni që mbahet mend nga çdo njeri, i cili e ka nisur rrugën e gjatë të arsimimit përmes abetares. Kështu, të martën në mbrëmje u organizua Festa e Abetares.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Problemi qëndron gjetiu. Bashkë me bashkëmoshatarët nga komunat e tjera nuk ishin edhe dhjetë nxënës të pakicave (minoriteteve), të cilët festuan të ndarë. Një lloj diskriminimi i pastër, që ka krijuar polemika të forta në Kosovë.

Sidoqoftë, palët kundërshtojnë njëra-tjetrën në atë që thonë. Më konkretisht, vetë nxënësit e minoriteteve ngulmojnë se edhe ata do të donin të ishin më në qendër të festës së Abetares, ndërsa mësuesja e tyre Xhylfidane Morina deklaroi se kjo ishte një rastësi, por kurrsesi nuk ka të bëjë me diskriminim:

“Patën vetë dëshirë të uleshin këtu. Asnjë qëllim tjetër nuk qëndron pas. I vendosëm aty, sepse hapësira ishte më e madhe. Normal që dëshira e fëmijëve ka qenë për të festuar poshtë, se iu është dukur më afër festës, por jo për arsye tjetër. Absolutisht jo për diskriminim”.

Njëra nga vajzat e vogla të diferencuara tha: “Po, kemi pas qejf të ishim më në qendë të festës, por këtu na tha mësuesja dhe këtu u ulëm”.