Një lajm interesant për përdoruesit e WhatsApp. Aplikacioni më i popullarizuar i mesazheve në botë prezanton mundësinë për të modifikuar mesazhet pasi mund t’i keni dërguar ato. Lajmi konfirmohet nga Mark Zuckerberg në një postim të publikuar në faqen e tij në Facebook.

“Tani mund të redaktoni mesazhet tuaja WhatsApp deri në 15 minuta pasi të jenë dërguar” shkruan ai. Ndryshimet mund të bëhen brenda 15 minutave nga dërgimi i mesazhit. Sipas informacioneve, mesazhet e modifikuara nuk do të jenë të njëjta me të tjerat por do të kenë një simbol për t’i dalluar.

Mesazhet e modifikuara do të etiketohen si “të redaktuara”, kështu që marrësit janë të vetëdijshëm se përmbajtja është ndryshuar. Megjithatë, atyre nuk do të tregohet se si mesazhi është modifikuar me kalimin e kohës. Ky funksion do të vihet në dispozicion për 2 miliardë përdorues në javët e ardhshme.

“Nga korrigjimi i një gabimi të thjeshtë drejtshkrimor deri tek shtimi i kontekstit në një mesazh, ne jemi të ngazëllyer t’ju sjellim më shumë kontroll mbi bisedat tuaja. Gjithçka që duhet të bëni është të shtypni gjatë një mesazh të dërguar dhe të zgjidhni “Ndrysho” deri në 15 minuta më pas,” njoftoi kompania.