Pornografia digjitale është gjithashtu një ves për priftërinjtë dhe murgeshat: fjalë e Papa Françeskut, i cili paralajmëroi seminaristët për këtë rrezik. “Është një ves që e kanë kaq shumë njerëz, kaq shumë laikë, po ashtu edhe priftërinj dhe murgesha. Andej hyn djalli.

“Dhe nuk po flas vetëm për pornografi kriminale si ajo e abuzimit të fëmijëve: ky tashmë është degjenerim. Por për pornografi disi ‘normale’. Të dashur vëllezër, kini kujdes për këtë”, tha Papa në një takim me seminaristët që studiojnë në Romë.

Papa iu përgjigj një seminaristi i cili kërkoi këshilla se si të merrej me botën digjitale dhe mediat sociale. “Unë besoj se këto gjëra duhet të përdoren, sepse është një përparim në shkencë, ata bëjnë një shërbim që të mund të përparojmë në jetë”, u përgjigj Papa. Pastaj ai pranoi:

“Unë nuk i përdor sepse kam ardhur vonë, e dini? Kur u shugurova peshkop, 30 vjet më parë, më dhanë një, një celular, i cili ishte si një këpucë, kaq i madh, apo jo? Unë thashë:

“‘Jo, këtë nuk mund ta përdor’. Telefonova motrën time, e përshëndeta, pastaj ia ktheva. Nuk mund ta përdorja. Sepse psikologjia ime nuk ishte e duhur ose isha dembel, askush nuk e di”. Mirëpo, seminaristëve të rinj ai u saktësoi: “Duhet t’i përdorni, duhet t’i përdorni vetëm për këtë, si ndihmë për të ecur përpara, për të komunikuar: kjo është mirë”.

“Zemra e pastër, ajo që Jezusi merr çdo ditë, nuk mund ta marrë këtë informacion pornografik. Që sot është në rendin e ditës. Dhe nëse mund ta fshini këtë nga celulari juaj, fshijeni atë – u tha Papa priftërinjve të ardhshëm – kështu që ju nuk do të keni tundimin në dorë.

“Dhe nëse nuk mund ta fshish, mbrohu mirë që të mos hysh në këtë, po ju them se e dobëson shpirtin, e dobëson shpirtin. Nga aty hyn djalli: e dobëson zemrën priftërore”.

Dhe ai përfundoi: “Më falni nëse zbres në këto detaje për pornografinë, por ka një realitet: një realitet që prek priftërinjtë, seminaristët, murgeshat, shpirtrat e shenjtëruar. E kuptoni? Mirë. Kjo është e rëndësishme”.