Zbulohen më shumë detaje nga historia e çështjes së Pogba. “RMC Sport” shpjegon se Paul Labile Pogba iu pagoi rreth 100.000 euro zhvatësve të tij që e kërcënonin për të fituar kohë, për të shmangur zhurmën mediatike dhe për të kënaqur vëllain e tij, si dhe pjesën tjetër të shantazhuesve.

Sidoqoftë, këta të fundit vazhdojnë të pretendojnë se mesfushori i Juventusit iu detyrohet 13 milionë euro për shkak të shërbimit të sigurisë fizike që i kanë garantuar për vite me radhë. Paul, i lodhur nga kjo situatë, bëri një padi në Itali dhe më pas në Francë.

Për momentin, prokuroria e Parisit ka hapur një hetim paraprak, por mund t’ia kalojë çështjen një gjyqtari hetues në ditët në vijim. Mathias Pogba përmes rrjeteve të tij sociale siguroi se së shpejti do të publikojë një sërë informacionesh që mund të komprometojnë imazhin dhe besueshmërinë e vëllait të tij, me të cilin marrëdhënia logjikisht filloi të përkeqësohej rëndë në vazhdën e kësaj historie.

Në ankesën e paraqitur nga avokatët e Paul Pogba specifikohet se është gënjeshtër pretendimi se ai punësoi një “shtrigan” për të dëmtuar shokun e tij të kombëtares, Mbappé, përmes magjisë.

Futbollisti i Juves e kupton se kjo, ashtu si thashethemet e tjera të përhapura nga vëllai i tij, janë pjesë e një strategjie të orkestruar në grup për ta njollosur, për t’i cënuar prestigjin. Çështja është ende në duart e drejtësisë dhe Paul Pogba nuk do të flasë për të.