Duket e pabesueshme, por një tjetër vrimë gjigante e ozonit sapo është zbuluar në atmosferën e Tokës, e cila u ka shpëtuar deri më sot syve të shkencëtarëve.

Vrima e re, e përcaktuar si një zonë ku ka një humbje të ozonit (O3) më shumë se 25 për qind në krahasim me atmosferën përreth, është identifikuar saktësisht mbi tropikët (30 ° N – 30 ° S) dhe do të ishte e pranishme që nga vitet 1980, ose që kur u zbulua vrima famëkeqe e ozonit mbi Antarktidë.

Ajo që e bën zbulimin veçanërisht shqetësues është fakti se vrima e re jo vetëm që ka të njëjtën thellësi si ajo e Antarktidës, por është shtatë herë më e madhe. Kjo do të thotë se tashmë po ka një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e popullatave të ekspozuara ndaj “vrimës gjigante.

Vrima është zbuluar nga shkencëtari kinez Qing-Bin Lu, studiues në Departamentin e Fizikës dhe Astronomisë dhe Departamentit të Biologjisë dhe Kimisë të Universitetit të Waterloo, Kanada.

Zbulimi i një vrime të re natyrisht e ndërlikon situatën. Shtresa e ozonit, në fakt, na mbron nga rrezatimi ultravjollcë më intensiv dhe i dëmshëm kozmik dhe diellor, i aftë për shembull për të katalizuar mutacionet e ADN-së dhe rrjedhimisht kancerin, si dhe problemet e lëkurës dhe të shikimit.

Duke marrë parasysh se rreth gjysma e popullsisë së botës jeton në tropikët, “ekzistenca e vrimës tropikale të ozonit mund të shkaktojë shqetësim të madh global”, tha profesor Lu.

“Shterimi i shtresës së ozonit mund të çojë në rritjen e rrezatimit UV në nivelin e tokës, i cili mund të rrisë rrezikun e kancerit të lëkurës dhe kataraktit tek njerëzit, si dhe të dobësojë sistemin imunitar të njeriut, të ulë produktivitetin bujqësor dhe të ndikojë negativisht në organizmat ujorë dhe ekosistemet e ndjeshme” , komentoi shkencëtari kinez.

Vrimat në shtresën e ozonit luajnë gjithashtu një rol në rregullimin e temperaturave të stratosferës, veçanërisht në ftohjen e saj, kështu që zbulimi i ri mund të ndihmojë ekspertët të kuptojnë më mirë edhe efektet e ndryshimeve klimatike.

Do të nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar me saktësi pasojat dhe natyrën e vrimës tropikale të ozonit. Detajet e hulumtimit “Vëzhgimi i humbjeve të mëdha dhe të të gjitha stinëve të ozonit mbi tropikët” janë publikuar në revistën e specializuar shkencore AIP Advances.