Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka pranuar përgjegjësinë për humbjen shokuese të skuadrës së tij ndaj Alcoyano, në “Copa del Rey”, të mërkurën. Pavarësisht se Eder Militao u dha gjigandëve spanjollë epërsinë e fillimit, skuadra e kategorisë së tretë, Alcoyano, e çoi ndeshjen në kohën shtesë, me një gol në minutën e 80-të. Ndeshja mori kthesë për keq, sepse “Los Blancos” pësuan dhe golin e dytë dhe u eliminuan. Ky rezultat vjen më pak se një javë pasi skuadra e Zidane u eliminua në gjysmëfinalet e Superkupës së Spanjës nga Athletic Club dhe një barazimi 0-0 me Osasuna në La Liga, që i parapriu këtij turpërimi.

Tronditja e së mërkurës vetëm do ta rrisë presionin ndaj Zidane, i cili mbrojti lojtarët e tij, megjithëse e pranoi se nuk është i sigurt nëse ende e ka mbështetjen e tyre: “Unë mendoj kështu, por ju duhet t’i pyesni lojtarët, nëse ende e kam mbështetjen e tyre. Kemi bërë gjëra të mira, jo aq shumë kohët e fundit. Përveç lojërave të fundit kemi bërë gjëra të mira këtë sezon. Ne duhet të përqendrohemi dhe të përmirësohemi. Kur humbet, gjithmonë merr kritika. Unë marr përgjegjësitë dhe çdo gjë që duhet të ndodhë, le të ndodhë. Jam shumë i qetë, lojtarët donin ta fitonin ndeshjen. Ata përpiqen, por ndonjëherë ndodhin gjëra të çuditshme. Si trajner duhet të marr përsipër përgjegjësinë.

Futbolli është kështu. Portieri i tyre ka bërë dy ose tri pritje dhe nuk na lejoi të shënojmë golin e dytë. Por, unë e marr përgjegjësinë. Ne jemi eliminuar, është një moment i vështirë. Na u desh të bëjmë diçka tjetër, por nuk mundëm. Është shumë e vështirë, sepse kemi luajtur kundër një skuadre të ‘Segunda B’ dhe duhej ta fitonim ndeshjen, por nuk ka shkuar kështu. Nuk është turp, mund të ndodhë. Këto janë gjëra që ndodhin në një karrierë futbolli. Marr përgjegjësinë dhe do të vazhdojmë të punojmë. Nuk do të çmendemi”.