Liverpool-i do të jetë qyteti që do të presë finalen e 67-të të Eurovizionit vitin e ardhshëm. Pas një gare shumë të fortë me Glasgow, u vendos Liverpool-i si pritësi i këtij festivali, ku do të zhvillohen dy netët gjysmëfinale, më 9 dhe 11 maj, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në ‘Liverpool Arena’ në 13 maj.

Do të jetë BBC, së bashku edhe me Unionin Evropian të Transmetuesve që do të organizojnë këtë festival të muzikës europiane, në bashkëpunim edhe me transmetuesin public të Ukrainës dhe fituesit e vitit të kaluar.

Për shkak të luftës në Ukrainë, organizatorët vendosën që netët gjysmëfinale dhe finalja e festivalit të mbahej në një vend tjetër.

Duke qenë se Mbretëria e Bashkuar u rendit e dyta në edicionin e kaluar, BBC ofroi mundësinë që ky festival të zhvillohej në këtë vend dhe pas garës me qytetin e Glasgow, u vendos qyteti i Liverpool.

Orkestra Kalush që përfaqësuan Ukrainën në edicionin e 66-të dhe e shpallën fitues të këtij festiavli u shprehën të kënaqur që Liverpool do të presë këtë event muzikor. “Jemi shumë të kënaqur që Eurovizioni do të zhvillohet në Liverpool. Të luash në të njëjtin vend ku filluan The Beatles do të jetë një moment që nuk do ta harrojmë kurrë!”