“Sot dola në transmetim me fytyrë të mbuluar dhe m’u duk se ma hoqën identitetin. Ishte si të fshihesha nga skena”. Sonia Niazi, 22 vjece, prezantuese e “Tolo News”, është e demoralizuar dhe e zemëruar për dekretin e ri të talebanëve që detyron gazetarët dhe prezantuesit e të gjithë transmetuesve afganë të shfaqen në video me një vello që iu lë të dukshëm vetëm sytë.

Po ashtu, iu ndalohen veshjet e ngushta për të ekspozuar pjesët e trupit dhe as të holla mjaftueshëm për të zbuluar format e tyre. Në fillim u përpoqën të kundërshtonin. “Që në 4 maj e refuzojmë kodin e ri të veshjes, – tha ajo për “Corriere della Sera”, pasi mbaroi ditën më të vështirë të jetës së saj, por sot na e imponuan.

Kishim dy zgjedhje: ose të largoheshim nga puna, ose të dilnim në ekran të mbuluara. Ne kemi vendosur që në këtë mënyrë të jemi ende zëri i shumë vajzave që nuk mund të shkojnë më në shkollë. Alternativa ishte zhdukja”.

Zëdhënësi i Ministrisë për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, Akif Muhajir, dje ka njoftuar se do të hyjë në fuqi dekreti që i detyron gratë të mbajnë mbulesë gjatë programeve televizive.

Për t’iu dhënë forcë gazetareve ishte solidariteti i kolegëve meshkuj, që mbuluan fytyrën në shenjë proteste. “Është një ditë pikëllimi i thellë për ne”, – shkroi Khpolwak Sapa, zëvendësredaktor i “Tolo News” në një postim në Facebook. “Sikur të ishim të gjithë në zi, – vazhdon Niazi. –  Do të donim që kolegët tanë në Perëndim të mos na lënë në mëshirë të fatit, siç kanë bërë krerët e qeverive të vendeve të tyre”.

Që kur talebanët rimorën kontrollin e Afganistanit më 15 gusht, qeveria, e përbërë natyrshëm nga burra, ka miratuar një sërë rregullash që kanë gërryer shpejt lirinë e fituar nga gratë në njëzet vitet e mëparshme: nga e drejta për arsimim te mundësia për të punuar dhe për të udhëtuar vetëm. Më në fund, në fillim të majit doli edhe dekreti që i detyron të mbajnë burkën jashtë shtëpisë.

“Nuk mund ta hedhim dot atë që kemi arritur në këto njëzet vjet, – shtoi Niazi. – Vendimet e Emirateve Islamike tregojnë se talebanët kanë frikë nga gratë e shkolluara. Problemi është si të luftohet, sepse ata që protestojnë janë fshirë. Gazetaria është forma ime e luftës, – shpjegon më tej prezantuesja. – Për aq kohë sa të mundem do ta mbaj të shtrënguar punën time. Sigurisht që ambientet nuk janë të mira; sot kemi fytyrën të mbuluar, nesër mund të vendosin të na largojnë fare nga ekrani”.

Dje, përfaqësuesi special i SHBA-së për Afganistanin, Thomas West, i telefonoi ministrit të jashtëm taleban, Khan Mutaqi, për të shprehur “kundërshtimin ndërkombëtar ndaj kufizimeve në të drejtat dhe rolin e grave”. Por në Afganistan këto lloj veprimesh janë të paefektshme.

“Ne nuk shohim një reagim të vërtetë nga Perëndimi, – përfundon gazetarja. – Në të vërtetë, ne ndihemi të përdorura politikisht si nga Emiratet Islamike, ashtu edhe nga demokracitë e botës, të cilat vetëm flasin mbi të drejtat e njeriut dhe të grave, por nuk bëjnë asgjë në praktikë.