Për Al Pacinon, Timothee Chalamet është i vetmi aktor që mund të zërë vendin e tij në rolin e detektivit ikonik Vincent Hanna, duke supozuar se një vazhdim i “Heat” do të dalë në kinema.

Aktori e tha këtë gjatë një takimi në Festivalin e Filmit Tribeca për të festuar 25 vjetorin e filmit kult, kur iu kërkua të sugjeronte një emër për pasuesin e tij të mundshëm.

Michael Mann, regjisori dhe skenaristi i filmit të vitit 1995, që ka munguar në takim për shkak të Covid, në fakt ka njoftuar botimin e një romani “Heat 2”, për të cilin flitet se mund të ketë edhe një përshtatje filmike.

“Timothee Chalamet është një aktor i mrekullueshëm. Si dhe shumë i pashëm”, tha Al Pacino, duke përmendur aktorin e ri që tashmë ka hyrë në Olimpin e yjeve, pas interpretimeve të tij në “The French Dispatch”, “Dune” dhe “Don’t Look Up” dhe që do të jetë së shpejti protagonist në “Dune 2” dhe në “Wonka”, prequel i “The Chocolate Factory”.

“Heat – Sfida” konsiderohet si një nga filmat kult të kinemasë së krimit dhe tregon marrëdhënien delikate dhe të paqartë midis një krimineli profesionist, Neil McCauley (Robert De Niro) dhe një detektivi obsesiv, Vincent Hanna (Al Pacino).

Në nivel global, filmi fitoi 187 milionë dollarë dhe stafi përfshinte gjithashtu Jon Voight, Ashley Judd, Val Kilmer dhe një Natalie Portman të re.