Ambasada Amerikane në Indi ka këshilluar të gjithë qytetarët e saj që aktualisht ndodhen në këtë shtet që të largohen sa më shpejt të kenë mundësi. Dhe, nëse është e mundur, të largohen në siguri, duke parë numrin e madh të rasteve me koronavirus që po regjistrohet nga dita në ditë në këtë vend.

Në një njoftim, Ambasada Amerikane sqaron se nevoja për çfarëdo lloj mjekimi në Indi tashmë është bërë i vështirë dhe i limituar, për shkak të shtimit të rasteve me Covid-19. “Qytetarët amerikanë që dëshirojnë të largohen nga India duhet të përfitojnë nga mundësitë e transportit që janë aktualisht në dispozicion”, shkruan ambasada.

Nga ana tjetër, qeveria amerikane ka vendosur të ndihmojë me 100 milionë dollarë Indinë, shumë e investuar kryesisht në aparatura për të fituar betejën ndaj Covid-19. Janë dërguar gati 1 milionë teste të shpejta. Avioni i parë ushtarak me ndihma mjekësore, ku ndodhen edhe 100 mijë maska për stafin mjekësor, mbërrin sot në Nju Dehli.