Departamenti Amerikan i Shtetit është gati të përditësojë kushtet për të udhëtuar në këtë vend, duke respektuar jo vetëm masat anti-Covid por edhe propozimet që vijnë nga “Center for Disease Control and Prevention”, që menaxhon situatën e pandemisë Covid 19 në këtë vend.

Sipas mediave vendase, Amerika do të çojë në nivelin 4 të sigurisë hyrjen në këtë vend. Kjo masë do të përfshijë hyrjen në Amerikë të personave që vijnë nga rreth 80% e vendeve të botës. Vende ku pandemia është në ritme të larta apo që kanë rritje shifrash.

Ndërkohë, situata e pandemisë nuk duket aspak e mirë në Indi, ku për të gjashtën ditë me radhë janë regjistruar më shumë së 200 mijë të infektuar. Sipas “The Guardian”, vetëm gjatë javës së fundit, në Indi janë regjistruar 1.4 milionë të infektuar. Në rritje edhe numri i viktimave, 1.761 në 24 orët e fundit dhe në total 180 mijë që nga nisja e pandemisë.