Amerika ka autorizuar përdorimin e vaksinës së kompanisë Johnson&Johnson, vaksina e tretë anti-Covid që miratohet në këtë vend pas Pfizer dhe Moderna. E veçanta e kësaj vaksine është se ajo merret me një dozë të vetme dhe jo me dy doza si vaksinat e tjera.

Sipas ekspertëve, në bazë të analizave, kjo vaksinë është e sigurtë në masën 72% ndaj formave të ndryshme të koronavirus. Ajo mund të ruhet në temperaturë normale frigoriferike, mes 2 deri 8 gradë. Johnson&Johnson konfirmoi gjithashtu se brenda qershorit do të prodhojë 100 milionë doza.

Nga këto, 20 milionë doza do të prodhohen brenda muajit mars, ndërkohë që kompania ka kërkuar që kjo vaksinë të miratohet edhe në Europë.

Ndërkohë, Italia ka nisur sot zyrtarisht eksperimentimin e vaksinës së saj, të prodhuar nga kompania Rottarpharm-Takis. Kjo vaksinë do të eksperimentohet në Romë, Napoli e Milano. Pritet që kjo vaksinë të prodhohet në muajin qershor.