“Food and Drug Administration” (FDA) në Amerikë ka kërkuar ndërprerjen e prodhimit të vaksinës anti-Covid të kompanisë Johnson&Johnson në një fabrikë në Baltimora. Në këtë fabrikë, një muaj më parë, u shkatërruan 15 milionë doza të vaksinës anti-Covid të kësaj kompanie (u konsiderua gabim njerëzor).

Kompania Emergent BioSolutions ka deklaruar se FDA ka kërkuar më 16 prill ndërprerjen e prodhimit të vaksinës deri në një inspektim në fabrikën e saj në Bayview. “Kemi bllokuar të gjithë materialin ekzistues në fabrikë, në pritje që të kryhet një inspektim për të rregulluar anomalitë e vërejtura”, tha Emergent BioSolutions.

Në orët në vijim edhe EMA (Agjencia Europiane e Produkteve Farmaceutike) do të marrë një vendim nëse do të bllokojë përdorimin e kësaj vaksine në Europë. Në Amerikë kjo vaksinë është pezulluar, pas verifikimit të disa rasteve me trombozë në miliona persona të vaksinuar.