Një anije e madhe mallrash ka bllokuar qarkullimin në kanalin e Suezit, në Egjipt. Anija 400 metra e gjatë dhe 59 metra e gjerë, ngeci në pjesën veriore të portit, duke bllokuar qarkullimin e anijeve të tjera.

Anija kargo e mallrave “MV Ever Given”, që mban flamurin e Panamasë, përdoret për transportin e mallrave nga Azia në Europë dhe ishte drejtuar për në portin e Roterdamit (Holandë).

Shkak i bllokimit të saj në kanalin e Suezit mësohet se ka qenë era e fortë, që shkaktoi një stuhi rëre. Për largimin e saj janë dashur disa orë dhe u mobilizuan disa anije të vogla për ta nxjerrë nga vendi ku kishte ngecur.

Si pasojë e bllokimit të kanalit te Suezit qindra anije janë detyruar të presin që situata të ndryshojë. Mësohet se rreth 200 anije kanë hedhur spirancën dhe kanë qëndruar në pritje. Sipas revistave ekonomike, një ditë “stop” e kanalit të Suezit ka një dëm ekonomik me vlerën 9.6 miliardë dollarë në ditë.