Ritmi i vaksinimeve po shtohet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ndaj liderët e BE-së kanë vendosur për një hapje graduale të kufijve dhe heqje të disa masave. “Situata epidemiologjike është drejt përmirësimit në Europë dhe kërkojmë një hapje graduale, duke respektuar kufizimet që ka çdo shtet”, thanë drejtuesit e BE-së, në një takim me përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare

Gjithsesi, ata kërkojnë që vigjilenca të mbesë e lartë, pasi janë të shumta variantet që qarkullojnë e mund të krijojnë sërish probleme. “Në rast se është e nevojshme çdo shtet të veprojë. Është e rëndësishme të shtojmë vaksinat anti-Covid dhe numrin e personave të vaksinuar”, tha BE-ja.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën me dije se variant indian tashmë është konfirmuar në 53 shtete të botës. Kjo do të thotë një rritje e vendeve të infektuara nga ky variant edhe pse shumë shtete kanë mbyllur kufijtë me Indinë. Sipas OBSH-së, pritet që deri në fund të majit ku numër të shkojë në 60 shtete, duke paralajmëruar për kujdes.