1300 persona kanë kërcyer, kënduar e pirë në një nga diskotekat e Amsterdamit, në Holandë, të shtunën në mbrëmje. Nuk bëhet fjalë për një festë, por për një eksperiment për të grumbulluar të dhëna në lidhje me hapjen e sigurtë të diskotekave gjatë pandemisë Covid-19.

Në “Ziggo Dome”, një nga diskotekat më të mëdha në Holandë dhe Europë, u ndje për pak orë atmosfera e jetës para koronavirus. Për këtë festë kishin prenotuar 100 mijë persona, por vetëm 1300 vetë u lejuan, të cilët paguan nga 15 euro secili për të hyrë në diskotekë. Bileta që u shitën në pak minuta.

Vullnetarët u ndanë në 5 grupe të ndryshme dhe çdo grupi kishte rregulla të ndryshme nga tjetri. Në total do të jenë 8 mbrëmje të tilla, ku do të analizohen parametra të ndryshëm. 1300 vullnetarët kishin sensorë ku analizohej lëvizja e tyre në diskotekë, kontaktet që kishin etj.