Momente ankthi në pishinën “Szechy” të Budapestit, gjatë finales së notit të sinkronizuar të Kampionatit Botëror. Në përfundim të stërvitjes së saj, amerikania Anita Alvarez u bë keq.

Asaj i ra të fikët dhe përfundoi nën ujë për disa sekonda, pa e kuptuar askush se çfarë po ndodhte. Më pas ishte trajneri amerikan që u zhyt, e shpëtoi dhe e transportoi në buzë të pishinës.

Nga aty e mori “në dorëzim” stafi mjekësor dhe paramjekësor. Menjëherë notarja u transportua në infermieri dhe u ekzaminua. Alvarezi u gjykua se ishte jashtë rrezikut për jetën.

Pasi erdhi në vete dhe u sigurua se nuk rrezikon asgjë, Alvarez u rikthye në grup, e pritur nga përqafimi i stafit dhe duartrokitjet e të gjithë sportistëve të pranishëm në pishinën stërvitore.

Gjatë momentit që humbi ndjenjat, të gjithë të pranishmit u përlotën për shkak se menduan më të keqen. Megjithatë, falë Zotit, por edhe stafit mjekësor, notarja amerikane u reanimua në kohë dhe ia hodhi paq.