Nuk ka vonuar shumë që polemikat të shfaqen pas Eurovizion-it. Pas fitores së Ukrainës dhe vendit të tretë të Chanel, Rumania ka denoncuar përmes një deklarate në televizionin e saj publik (TVR) se vota e jurisë rumune në favor të Moldavisë është zëvendësuar, duke u llogaritur 12 pikët në favor të këngës përfaqësuese ukrainase.

“Ne ishim të befasuar në mënyrë të pakëndshme kur zbuluam se vota jonë nuk llogaritet në renditjen përfundimtare ashtu sikurse u dha. Organizatorët dhanë një version tjetër vlerësimesh për garuesit”, – shkroi TVR në një deklaratë.

Rumania shprehu gjithashtu keqardhje që “rregullat u ndryshuan gjatë lojës”, pasi prezantuesi i saj nuk ishte “i autorizuar” të ndërhynte drejtpërdrejt si shumica e vendeve të tjera për të komunikuar votën e jurisë së vendit të tij.

Gjatë Eurovizion-it, juritë e çdo vendi shpërndajnë pikët për pjesëmarrësit e ndryshëm dhe spektatorët votojnë me telefon ose në aplikacion. Në natën nga e shtuna në të diel, EBU (Bashkimi Evropian i Transmetuesve) vuri në dukje “disa modele votimi të parregullta të identifikuara në rezultatet e gjashtë vendeve” gjatë gjysmëfinales së dytë dhe finales.

Megjithatë, nuk u specifikua se cilat shtete ishin të përfshira apo nëse këto parregullsi mund të kishin pasoja për klasifikimin përfundimtar. Ukraina fitoi kompeticionin muzikor në Itali përpara Mbretërisë së Bashkuar dhe Spanjës, falë votës së shikuesve që tejkaluan me 400 pikë ato të dhëna për grupin që përfaqësonte vendin e pushtuar nga trupat ruse.

Për më tepër, të njëjtën të diel, Ministri i Kulturës i Ukrainës, Oleksandr Tkachenko, shprehu keqardhjen që juria e Kievit nuk i dha asnjë pikë Polonisë dhe Lituanisë, dy aleatë të rëndësishëm kundër Moskës.