1. Vaksina me grimcë të plotë virale
Janë vaksinat klasike të cilat përdorin një version të dobësuar ose të ç’aktivizuar të virusit për të provokuar një përgjigje të favorshme imunitare. Shembull është vaksina Sinovac.

2. Vaksina me vektor viralë
Janë ato që përdorin një virus tjetër të padëmshëm për të transportuar gjenet e koronavirusit në qelizat tona. Shembull është vaksina e Universitetit të Oxfordit në bashkëpunim me AstraZeneka.

3. Vaksina me bazë proteinike
Janë ato që përdorin proteina ose fragmente proteinike të koronavirusit për të nxitur një përgjigje imunitare në trupin tonë. Shembull është vaksina Novavax.

4. Vaksina gjenetike me bazë ARN mesazhere
Këto lloj vaksinash transportojnë, përmes ARN mesazhere, vetëm informacionin ,nga virusi te qelizat tona, për të prodhuar proteinat e gjilpërës të sipërfaqes së SARS-CoV-2, prania e të cilave më pas aktivizon prodhimin e antitrupave në organizëm. Shembull është vaksina Pfizer/BionTech dhe Moderna.

Si të përgatitem për ditën e vaksinës anti-COVID-19?
Të gjendur përpara një situate, në të cilën po ekspozohemi përditë ndaj lajmeve dhe informacioneve nga më të ndryshmet, natyrshëm lindin pikëpyetje të shumta mbi kryerjen e vaksinës kundër COVID-19. Për të qenë sa më të qetë ditën që do na vijë radha për t’u vaksinuar, pasi është e rëndësishme dhe gjithashtu thelbësore të kuptojmë disa aspekte kyçe të vaksinimit dhe vaksinave. Për këtë arsye ju ftojmë të konsultoni një seri të shkurtër pyetje-përgjigjesh për publikun, me një gjuhë të thjeshtëzuar, të përgatitura prej ekipit shkencor të HEDA Albania.

Çfarë të kem parasysh për vaksinimin nga ana praktike?

  1. Në ditën që do të vaksinoheni do të duhet që të prisni të paktën 30 minuta për të konsultuar ndonjë simptomë apo reagim që keni nevojë ta adresoni me vaksinatorët, mjekun ose infermierin përkatës.
  2. Vaksina mund t’ju shkaktojë (në raste të rralla) dhimbje ose fryrje të lehtë të zonës së vaksinuar, ethe të lehta apo temperaturë, etj. – të gjitha këto simptoma kalojnë brenda më pak se 24 orëve të para, pas vaksinimit. Këto shenja nuk janë shqetësuese, por shenja pozitive, pasi tregojnë që vaksina e ka dhënë efektin e saj, duke shkaktuar përgjigjen e favorshme imunitare për të cilën kemi nevojë.
  3. Brenda dhe jashtë kontekstit të vaksinave, është thelbësore që në këto kohë pandemie të praktikoni një stil të shëndetshëm jetese, duke moderuar ose eliminuar konsumin e alkoolit, duke shmangur pirjen e duhanit, duke pasuruar dietën tuaj me më shumë fruta dhe perime, duke kryer më shumë aktivitet fizik (p.sh. zgjidhni shkallët e jo ashensorin, ecni më këmbë, e jo me makinë, etj.) dhe duke u kujdesur për ciklin e gjumit.