Elon Musk dëshiron që Twitter të bëhet “platforma për lirinë e shprehjes në mbarë botën” dhe, mbi të gjitha, një mjet argëtimi. Pa shkuar më tej, pronari i ri i Twitter-it sapo ka dhënë ‘shembullin’ në këtë drejtim me një koment që ka revolucionarizuar rrjetin social brenda pak orësh dhe që ndoshta do të bëhet ndërveprimi i tij më i komentuar dhe më i famshëm deri më sot.

Elon Musk thotë se ai do të blejë ‘Coca-Cola’ për të rimarrë recetën origjinale të pijes freskuese më të famshme në botë dhe për të rifutur në të një përbërës që është i ndaluar, sepse konsiderohet drogë.

“Dua të blej Coca-Cola për të rikthyer kokainën”, – ka thënë kryetari dhe bashkëthemeluesi i Tesla-s. Natyrisht, kjo është një shaka më shumë e manjatit të njohur, i cili prej vitesh përdor rrjetin social për të tallur kritikuesit e tij dhe për të fantazuar me 87 milionë ndjekësit virtualë.

Shakaja e tij ka qenë aq për të qeshur në Twitter, saqë tashmë ka grumbulluar afro tre milionë pëlqime dhe është ‘ritweet’-uar më shumë se 500.000 herë në vetëm pak orë. Shakaja nuk është ndalur me kaq, sepse një përdorues interneti i ka kujtuar biznesmenit miliarder se shishja e parë e Coca-Cola, e shitur më 1894, përmbante 3.5 gram kokainë (në vitin 1903 u zëvendësua nga kafeina).

Musk ka kujtuar më pas një tjetër pije të famshme energjike që prej vitesh është bërë rivali i madh i Coca-Cola për vetitë e saj stimuluese. “Një goditje në bythë për Red Bull”, – u përgjigj pronari i ri i Twitter, i cili më pas sqaroi se e gjitha ishte një shaka. “Ta bëjmë Twitter-in sa më argëtues”, – iu sugjeroi miliarderi përdoruesve të rrjetit të njohur social, që bleu së fundi.