Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë publikoi kufizimet që do jenë në fuqi deri më 21 janar, në kuadrin e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Për sa i përket Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë janë në fuqi këto masa: Kufiri mes Greqisë dhe Shqipërisë do të vazhdojë të konsiderohet i mbyllur. Si pasojë nuk lejohet asnjë lëvizje, qoftë tokësore, qoftë detare.

Autobusët, minibusët, makint me targa shqiptare dhe anijet e kanë të ndaluar të hyjnë në Greqi. Lidhja ajrore bëhet vetëm mes aeroportit “Nënë Tereza” dhe “El.Venizelos”. Ndalohet hyrja në Greqi e qytetarëve shqiptarë që duan të vijnë në Greqi për arsye turistike apo vizite. Ndalohen personat me pasaportë shqiptare, apo me 90-ditorëshe.

Në Greqi lejohet të hyjnë vetëm personat që kanë leje qëndrimi ose nënshtetësi greke. Të gjithë personat që do të hyjnë në Greqi, pavarësisht nënshtetësisë apo mjetit që udhëtojnë (avion, autobus, makinë etj) duhet të plotësojnë 24-48 orë përpara mbërrijtes në Greqi, formularin PLF. Për të gjithë personat që do të hyjnë në Greqi, pavarësisht nënshtetësisë apo mjetit me të cilin udhëtojnë, është e nevojshme të paraqesin test negativ RT-PCR, që duhet të jetë bërë deri në 72 orë përpara nisjes për në Greqi.

Për të gjithë personat që do hyjnë në Greqi nga Shqipëria, pavarësisht nënshtetësisë apo mjetit që udhëtojnë, duhet të bëjnë karantinë 7 ditore në shtëpinë e tyre. Pikat kufitare do punojnë çdo ditë nga ora 7:00 deri në orën 23:00. Nga Pika kufitare e Kakavijës do lejohet të kalojnë deri në 750 veta. Kapshtica do jetë e mbyllur. Të gjithë pasagjerët që do lëvizin jashtë Greqisë duhet të plotësojnë dhe PLF, 24 orë përpara udhëtimit.