Qeveria ka marrë vendim për ta reduktuar numrin e ujësjellësave në vendin tonë. Ka qenë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ajo që e ka bërë me dije këtë fakt, pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave.

E thënë ndryshe, është miratuar strategjia për menaxhimin e ujësjellësave, e prezantuar nga vetë dikasteri që ajo drejton në qeveri. Thelbi i këtij revolucioni është heqja e menaxhimit të ujësjellsave nga bashkitë, pra pushtetit vendor, dhe kalimin në hyqmin e qeverisë qendrore.

Më saktë, MIE konsiderohet tashmë aksionari mazhoritar. Ministrja Balluku saktësoi: “Nga 61 ujësjellës që ndodhen në 61 bashki të vendit do të kalohet në 15 ujësjellës qendrorë, të cilët do të mirëmenaxhojnë financat dhe burimet natyrore nën mbikëqyrje.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë aksioneri mazhoritar i secilit prej 15 ndërmarrjeve, duke bërë një mirëmenaxhim të situatës, nisur nga kreditë që janë marrë gjatë kohës së tranzicionit, por mbi të gjitha për të vënë në jetë të gjitha politikat sa i përket sistemit të ujësjellësve dhe ujërave të ndotura.

Zbatimi i kësaj reforme të thelluar do të nisë menjëherë pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe brenda vitit 2022 priten rezultate konkrete”.