Programi i humorit “Klanifornia” nuk do të transmetohet më. Vendimi është marrë dhe është bërë zyrtar tashmë. Pas gjashtë sezonesh në “TV Klan”, me plot risi vit pas viti, duket se kjo formulë nuk funksionon më në Shqipëri.

Ka spekulime se shumica e aktorëve do të lëvizin në televizione të tjera. Më i kuotuari është Olsi Bylyku, i cili ka oferta nga Top Channel. Ndryshe nga aktorët e tjerë, ai është mësuar duke u përshtatur me formate të tjera.

Përveç programit të tij personal në kanalin e tij në “Youtube”, ku pati vendosur rekorde shikueshmërie me intervista mjaft të goditura, Olsi Bylyku ka qenë gjithashtu pjesë kryesore e programit “Zemërluana” të Luana Vjollcës.

Ka zëra që thonë se Olsi do të rikthehet te “Portokallia”, aty ku spikati dhe nisi karrierën si aktor humori. Ndërkohë, përflitet se ai mund të bëhet pjesë e një prej programeve të reja të Top Channel në shtator, duke provuar veten edhe si prezantues.

Kjo verë do të jetë shumë aktive për të me koncertet muzikore (prej disa vitesh tashmë), kështu që presim të surprizohemi me vendimin e tij të radhës. Bashkë me të pritet të lëvizë edhe aktori Julian Deda, i cili së fundmi ka qenë jo vetëm aktor, por edhe drejtor artistik i “Klanifornias”.