Papa Françesku, mëngjesin e sotëm (rreth orës 08:00) ka lënë Romën për të nisur një vizitë 4-ditore në Irak. Kjo është hera e parë në historinë e Selisë së Shenjtë që një Papë shkon në Bagdad.

Kreu i Vatikanit mbante me vete çantën e tij të zezë dhe maskë në momentin që ngjitej në avionin e posaçëm. Ai u shpreh se për të, ky udhëtim në Irak është një pelegrinazh paqeje.

Gjatë kësaj vizite, pritet që Papa Françesku të bëjë disa vizita në vende të shenjta, përveç takimeve që do të zhvillojë aty me personalitete vendase. Pritet që ai të zhvillojë në Bagdad edhe një meshë ditën e dielë.