“Sunny Hill Festival” ka ngritur siparin një natë më parë në Prishtinë, ku emra të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe botërore u ngjitën në skenë të këndonin për fansat e tyre shqiptarë. Një prej tyre ishte edhe Dua Lipa, artistja shqiptare që është edhe themeluese e këtij eventi së bashku me të atin.

Sakaq, festivali do të zgjasë katër netë rresht, teksa mbrëmjen e sotme do të performojnë të tjerë artistë të njohur.

Një prej tyre është edhe këngëtari i njohur italian, Alessandro Mahmood, fitues dy herë i Festivalit të Sanremos, në 2019 dhe në vitin 2022.

Ai do të performojë sonte për fansat e tij në festivalin që mbahet në Prishtimë. Pak para se të nisë eventi, Mahmood ka dalë në një konferencë për media ku u shpreh i lumtur që është në Kosovë.

Artisti italian e konsideroi si një mundësi të mirë praninë e tij në “Sunny Hill Festival”, ku do të sjellë muzikën e tij, ndërsa falënderoi edhe Ambasadën Italiane në Kosovë për mundësinë.

Këngëtari gjithashtu mësoi edhe disa fjalë shqip në konferencë, ku tha: “Faleminderit shumë Prishtinë. Ju dua”.

Mahmood ka postuar edhe në rrjete sociale një foto ku duket i shtrirë dhe i relaksuar për mbrëmjen e sotme teksa shkruan se ‘është shumë i emocionuar për të përformuar sonte në festival’.