Ata janë të njohur ndryshe me emrin e grupit të tyre, ‘Shqiponjat’. 18 motoristat shqiptarë kanë bërë së fundmi një udhëtim mjaft të veçantë për ta, duke u nisur nga Zvicra drejt atdheut të tyre, Shqipërisë me disa ndalesa gjatë rrugës.

Në një lidhje me Skype nga Ksamili, që është dhe pika e ndalesës së radhës, një nga motoristët, Muharrem Avdimetaj, ka treguar për emisionin ‘ABC-ja e Mëngjesit’, se si e ndërmorën këtë aventurë të rrallë dhe kanë ndarë të gjitha detajet. “Ne jemi nisur të enjten në datën 18 në orën 5 të mëngjesit nga Bazeli i Zvicrës dhe kishim si destinacion të parë Trieste dhe kemi kaluar natën.

Të nesërmen kemi vazhduar rrugën prej Kroacisë, aty jemi ndalur diku ku kemi kaluar natën e dytë. Më tej, kemi vazhduar rrugën deri në Ulqin ku dhe kemi kaluar natën. Gjatë udhëtimit kemi pasur mundësi të ndalemi në vende të ndryshme, të shijojmë edhe Rivierën e Kroacisë deri në Ulqin, ku kemi vizituar dhe shijuar plazhet e Ulqinit.

Në grupin tonë për momentin jemi 18 veta, i kishim dhe dy më shumë deri në Kosovë, të cilët kanë ardhur vetëm ta shijojnë dhe do të kthehen me aeroplan. Ne ishim 16 motorista dhe një mbështetës me një furgon që na shoqëron”, u shpreh ai.