Një deklaratë nga Pallati Buckingham tha: “Me dhimbje të thellë, Madhështia e saj, Mbretëresha, njofton vdekjen e burrit të saj të dashur, Lartmadhërisë së Tij Mbretërore Princit Philip, Dukës së Edinburgut. Lartësia e Tij Mbretërore ndërroi jetë paqësisht këtë mëngjes në Kalanë e Windsor”.

Duka ishte i martuar me Mbretëreshën Elizabeth II prej më shumë se 70 vitesh. Ajo u bë bashkëshortja me jetë më të gjatë në historinë britanike. Për një njeri të moshës së tij 99-vjeçare, ai gëzonte shëndet relativisht të mirë. U dërgua në spital gjatë Krishtlindjeve më 2011 për trajtim, pas një arterie të bllokuar.

Më 2012 u shtrua në spital me një infeksion të fshikëzës urinare, ndërsa në vitin 2013 bëri një operacion në bark. Vetëm në maj 2017, pas kryerjes së më shumë se 20.000 angazhimeve publike, 96-vjeçari u tërhoq nga programi i tij i detyrave mbretërore. Herë pas here dilte për të mbështetur Mbretëreshën për ngjarje të mëdha.

Asnjë detaj zyrtar nuk është bërë i ditur ende rreth varrimit të Dukës së Edinburgut, por kuptohet që atij do t’i rezervohet funeral ceremonial mbretëror, në përputhje me dëshirat që kishte. Mbretëresha do t’i nënshkruajë planet përfundimtare për këtë në ditët në vijim. Princi u martua me Princeshën Elizabeth më 1947, pesë vjet para se të bëhej Mbretëreshë. Çifti kishte katër fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe 10 stërnipa.