Boris Becker, 54 vjeç, i dënuar disa ditë më parë me dy vite e gjysmë për shkelje tatimore, është i mbyllur në një nga burgjet më të këqija në Angli, ku cilësia e jetës konsiderohet shumë e rëndë. Një raport i “Daily Mail” tregon historinë.

Burgu “Wandsworth”, thotë gazeta britanike, është një ndërtesë 170-vjeçare viktoriane, e mbipopulluar (mbi 1300 njerëz) dhe e infektuar me minj. Të burgosurit kalojnë më shumë se 22 orë në ditë në qelitë e rrënuara.

Sipas raportit të hartuar nga Charlie Taylor, kryeinspektori i burgjeve, abuzimi me dr*gën dhe problemet e shëndetit mendor janë shumë të larta. Personeli i burgut përdori forcën 1295 herë në periudhën raportuese, gati katër herë në ditë.

“Daily Mail” detajoi orët e para të burgut të Becker: “Burimet e burgut thonë se ish-ylli i tenisit ka të ngjarë të kalojë deri në 15 ditë në burgun e kategorisë B, përpara se të transferohet në një burg të kategorisë C, të sigurisë më të ulët.

Pasi u dënua nga gjykata, Becker, me sendet e tij personale në një çantë “Puma”, u mor me një furgon burgu për 45 minuta me makinë përmes Londrës së Jugut dhe u dërgua në burg, më pak se dy milje nga vendi ku ai fitoi të parin nga tre titujt e “Wimbledon” në vitin 1985, në moshën 17-vjeçare.

Pasi u mbajt në një zonë pritjeje, gjashtë herë kampioni i Grand Slam-it u intervistua për të vlerësuar rrezikun e vetëvra*jes ose të vetëdëmtimit, përpara se të dërgohej në një qeli ‘E-Wing’, ku të burgosurit e rinj qëndrojnë gjatë një periudhe induksioni treditore.

Nata e tij e parë në “Wanno”, siç njihet “HMP Wandsworth” për të burgosurit e tij, ka të ngjarë të ketë qenë e frikshme. Gazeta raportoi më pas dëshmitë e disa të burgosurve të liruar nga ai burg. Ata të gjithë përshkruanin një mënyrë jetese shumë larg asaj që Becker ishte mësuar të bënte.

Nëse është me fat, ai do të transferohet në “H-Wing”, ku sistemohen zakonisht ata me “jaka të bardha”. Pavarësisht kësaj, ai burg ka vetëm 6 dushe për 86 qeli, shumica e të cilave kanë nga dy të burgosur. Mënyra e vetme për të mbijetuar, tha Taylor, ish i burgosur aty, është të qëndroni larg telasheve. Me siguri ish-tenisti i famshëm është frikësuar qysh natën e parë.