Nga dita e sotme, nisin zyrarisht procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Në orën 12:30 të ditës së sotme (4 maj), do të mblidhet konferenca e kryetarëve, ku do të diskutohet për datën e raundit të parë të votimit, ku do të zgjidhet kreu i ri i shtetit.

Në tri raundet e para presidenti zgjidhet me 2/3 e numrit të deputetevë, ose më saktë me 84 vota. Ndërsa në dy raundet e fundit presidenti i Republikës zgjidhet me shumicë absolute, ose më saktë me 71 vota.

Sipas Kushtetutës, nëse në raundin e parë asnjë prej kandidatëve nuk do të marrë 84 vota, atëherë jo me vonë se 7 ditë do të vijohet me raundin e dytë, i cili kërkon po aq vota sa i pari. Gjithsesi, palët kanë mundësi të votojnë një emër konsensual deri në raundin e 3-të, në të kundërt mazhoranca mund ta zgjedhë e vetme presidentin me 71 vota në raundin e katërt dhe atë të pestë.

Procedura e zgjedhjes së presidentit të ri pritet të përmbyllet brenda këtij muaji. Në këtë detyrë është deri në korrik të këtij viti presidenti Ilir Meta. Deri më tani, asnjë prej grupeve parlamentare nuk ka mbështetur publikisht një kandidat të caktuar.

E vetmja procedurë që është kryer është ajo brenda grupit parlamentar socialist, ku secili prej deputetëve ka propozuar 3 emra, të cilat nuk janë bërë publik. Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ri të jetë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.