Oligarkët rusë kanë vendosur të marrin masat për të shpëtuar të paktën super jahtet e tyre luksozë nga sanksionet e perëndimit.

Ideja është e thjeshtë dhe deri tani duket se ka funksionuar: për t’i bërë të ‘padukshëm’ mjetet e tyre lundruese miliarderët po çaktivizojnë sistemin e identifikimit automatik (AIS), që bën të mundur të gjendet  me saktësi pozicioni i çdo mjeti lundrues që e përdor këtë sistem.

Sipas një hetimi të bërë nga e përjavshmja britanike Observer, të paktën gjashtë super jahte të lidhur me oligarkët e goditur nga sanksionet e Londrës janë bërë të ‘padukshëm’ ndaj sistemit të lokalizimit.

E përditshmja ka bërë të ditur se 13 nga këto super jahte, që kanë një vlerë totale prej rreth 2 miliardë sterlinash (mbi 2.3 miliardë euro) janë sekuestruar (ose ngrirë) në portet e gjithë botës.

Ekspertët sinjalizojnë një rritje të jahteve të lidhur me Rusinë që po çaktivizojnë AIS. Sistemi mund të çaktivizohet për arsye legjitime, por ekspertët besojnë se në këtë rast qëllimi është pikërisht që t’i shmangen sanksioneve.

Sipas analizës së Observer të të dhënave të AIS, super jahtet që janë tashmë të ‘padukshëm’ prej më shumë se një muaji përfshijnë Clio-n prej 72 metrash të industrialistit Oleg Deripaska, Galactica Super Nova-n prej 70 metrash të oligarkut Vagit Alekperov dhe Ocean Victory prej 140 metrash të oligarkut Viktor Rashnikov.

Rreth 9.300 super jahte, për një vlerë prej 60 miliardë euro, lundrojnë në detet e botës dhe vlerësohet se rreth 10% e kësaj flote ka pronarë rusë.