Roza Anagnosti një nga ikonat e kinematografisë shqiptare dhe një prej figurave më të dashura e të vlerësuara të artit shqiptar ndër vite feston sot ditën e lindjes. Aktorja e madhe shqiptare mbush sot plot 79 vjeçe.

Ajo lindi në qytetin e Shkodrës më 27 tetor 1943 dhe është një nga emrat më të rëndësishëm të artit shqiptar. Roza i përket atij brezi që themeluan teatrin dhe kinematografinë shqiptare, teksa shpesh është edhe referencë për shumë aktorë të rinj, të cilët e marrin shembull për profesionalizmin e saj.

Aktorja e ka nisur karrierën herët në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, teksa që në moshën 20 vjeçare ajo ka hyrë në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme”. Një vit më pas, në moshën 21-vjeçare ajo u bë edhe pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar.

Në karrierën e saj mbi 50 vjeçare, Roza Anagnosti numëron mbi dhjetëra role si aktore kryesore në filmat shqiptarë dhe Teatrin Kombëtar, duke fituar çmime të rëndësishme kombëtare. Ajo mban edhe titullin e rëndësishëm “Artiste e Merituar”

Roza Anagnosti është e martuar me regjisorin e njohur shqiptar, “Artistin e Popullit”, Dhimitër Anagnosti.