E papritur, por e vërtetë. Dy vëllezërit Veshaj rrezikojnë të dënohen deri me 10 vite heqje lirie. Kjo “njollë” qenka mbajtur e fshehtë deri tani nga Donaldi dhe Romeo, të bërë të famshëm përmes ekranit të vogël. Sidomos Donaldi kapi majat me përfshirjen në BBV dhe rivalitetin e ethshëm me Ilir Shaqirin, po dhe romancën e mbetur në tentativë me Beatrix Ramosaj.

Data 27 e këtij muaji duket se do të jetë një udhëkryq i madh për ta. Sikurse njofton gazetarja e kronikës, Anduena Llabani, më 27 maj do të zhvillohet seanca e tyre gjyqësore në Gjykatën e Lartë. Ankimimi aty për dy vëllezërit komedianë është bërë nga Prokuroria e Vlorës. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit e Vlorës i ka lënë jashtë qelisë dy vëllezërit vlonjatë.

Po çfarë i ka dërguar në dyert e gjykatës vëllezërit Veshaj? Mbi Donald dhe Romeo rëndon akuza për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Sipas Kodit Penal, shpallja fajtor për këtë vepër dënohet nga 3 deri në 10 vite burgim. Vepra penale për të cilën akuzohen daton para se ata të bëheshin të famshëm në publikun shqiptar. Ja çfarë shkruan gazetarja Llabani:

“Një ngjarje e pesë viteve më parë që ka protagonistë dy aktorët vlonjatë Romeo dhe Donald Veshaj, rikthehet sërish në vëmendje për shqyrtim në gjykatë. Dy vëllezërit Veshaj, fytyra të njohura të ekranit, rezultojnë prej disa vitesh në përballje me drejtësinë.

Kjo pasi në vitin 2017, ata janë dënuar nga Gjykata e Vlorës për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim (Neni 88/1 e 25 i Kodit Penal). Përballë një vendimi të butë të dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit, ku dy vëllezërit vijonin të lirë dhe apelit të Prokurorisë, shkalla e dytë e la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Mirëpo e pakënaqur me vendimin e Apelit, Prokuroria e Vlorës e ka dërguar rastin për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit e ka regjistruar rekursin dhe ka caktuar si datën e seancës së parë 27 majin”.