Në Nju Jork është rikthyer frika e pandemisë, teksa rastet e reja me Covid-19 janë rritur ndjeshëm gjatë muajit maj. Gjatë 24 orëve të fundit janë verifikuar mbi 15 mijë raste dhe 33 viktima, shifra shumë të larta krahasuar me dy muaj më parë, kur rastet me koronavirus patën një rënie.

Për këtë arsye, autoritetet në Nju Jork po mendojnë rikthimin e disa masave të para të lehta, për të ndërgjegjësuar qytetarët dhe frenuar disi këto ritme. Po mendohet rikthimi i mbajtjes së maskës në ambientet publike.

Aktualisht jemi në nivelin e mesëm të sistemit të masave të marra, por po vlerësojmë situatën për të kaluar në nivelin e lartë të masave të sigurisë. Gjithçka do të varet nga numri i rasteve të reja më Covid-19, që gjatë muajit maj ka njohur një rritje të ndjeshme”, thanë autoritetet shëndetësore në Nju Jork.

Për momentin nuk kemi marrë asnjë masë, por po rekomandojmë që të mbahet maska në ambientet e mbyllura. Situata nuk është aq e qetë sa më parë”, u shprehën më tej autoritetet. Duket se rikthimi në normalitet nuk ka për të qenë shumë i lehtë, teksa gatishmëria e spitaleve është ende e lartë.