Sipas parashikimeve të mjekëve, jeta e tij duhet të kishte zgjatur vetëm 13 vite. Megjithatë, ai ka mbushur 26 dhe tani shkenca mund të jetë shumë afër gjetjes së një kure për sëmundjen e tij.

Sammy Basso, i riu i prekur nga progeria (plakja e parakohshme), ka folur për Corriere della Sera për sindromën e tij, përkushtimin e tij për të gjetur një terapi që të ndalojë sëmundjen dhe, njëkohësisht, të kurojë shumë sëmundje të tjera gjenetike.

“Marr tetë pilula tani, – ka thënë Sammy, i cili jeton në Vicenza, – disa për ndërhyrjen në zemër që kam bërë në 2019-ën në Romë kur më është zëvendësuar valvula e aortës që ishte vjetërsuar shumë dhe do të mbyllej.

“Progeria kishte punuar shumë duke e dobësuar trupin tim. Ajo ka qenë ndërhyrja e parë e kësaj natyre te një pacient me këtë patologji dhe ka hapur një rrugë sepse është bërë një operacion duke shmangur çdo rrezik dhe edhe falë kësaj jam akoma këtu të rrëfej historinë time”.

Në jetën e tij të shkurtër, Basso ka arritur të marrë dy diploma, të parën në fakultetin e Shekcnave të Natyrës, të dytën në Biologji molekulare.

Për rastin e tij është interesuar edhe New York Times: është takuar me gazetarët e së përditshmes prestigjioze amerikane që kanë folur gjatë dhe kanë bërë shaka me të, duke u bërë një ambasador i vërtetë i 130 rasteve të personave që vuajnë nga kjo sëmundje në botë.

Për Corriere-n ka thënë se studimet për të kuruar progerinë po bëjnë hapa prej gjiganti “edhe pse fondet nuk mjaftojnë kurrë”. Megjithatë, shkencëtarët e kanë njohur gjenin dhe në 2020-ën “në Amerikë është miratuar ilaçi i parë kundër sëmundjes”, ndërsa vazhdojnë studimet për eksperimentime të reja.