Prangat kërcasin në futbollin shqiptar, edhe pse në nivelet e ulëta të tij. Megjithatë, hetimet janë zhvilluar dhe kopsitur nga SPAK, struktura më e lartë e drejtësisë së re në vendin tonë. Më konkretisht, Bledar Hajredini, drejtues i Përmetit, bashkë me Qerim Ruçi, arbitër futbolli, janë arrestuar si të dyshuar për “paracaktimin e rezultateve në garat sportive”.

SPAK ka dalë me këtë njoftim zyrtar:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetimedhe ka urdhëruar arrestimin e:

Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Bledar Hajredinizyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Po për cilën ndeshje bëhet fjalë se është trukuar? Ajo Përmetit ndaj Selenicës. Sipas hetimeve të SPAK, nga përgjimet e kryera rezulton se ishte paracaktuar kjo përballje e Kategorisë së Dytë. Zyrtarët kishin rënë dakort që nga kjo ndeshje do të fitonte Përmeti me rezultatin 1-0, me penallti. Siç ka rezultuar në përgjimet e kryera të SPAK ndaj zyrtarëve, ashtu ndodhi edhe në realitet. Arbitri dhe zyrtari i klubit të futbollit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin lejuan paracaktimin e ndeshjes.