Guvernatori i Teksasit hoqi shumicën e kufizimeve shtetërore për frenimin e pandemisë së koronavirusit, duke lejuar bizneset të rihapen me kapacitet të plotë që nga java e ardhshme dhe duke u thënë banorëve se maskat nuk janë më të detyrueshme.

Vendimi i guvernatorit Greg Abbott është masa më gjërë që një shtet amerikan ka ndërmarrë deri më tani për të hequr kufizimet e ashpra mbi bizneset dhe banorët të vendosura nga udhëheqësit politikë për t’i bërë ballë pandemisë së COVID-19.

“Tani është koha për të hapur Teksasin 100%”, tha guvernatori Abbott në një konferencë shtypi për gazetarët. Heqja e plotë e mandateve do të hyjë në fuqi më 1 mars, tha ai. Urdhri i guvernatorit Abbott vjen ndërsa infeksionet me COVID-19 kanë rënë në javët e fundit në pjesën më të madhe të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve Reuters, rreth 68,240 raste të reja janë raportuar mesatarisht çdo ditë këtë javë, ose sa 27% e kulmit mesatar ditor të raportuar më 7 janar. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar 28,681,793 infeksione dhe 513,721 vdekje të lidhura me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.
/ VOA