Dhjetëra emigrantë rezultojnë ende të humbur dhe frika është se mos janë mbytur, kur një gomone që ishte nisur nga Afrika për në Europë është përmbysur në ujërat e Detit Mesdhe. Sipas anijes “Ocean Viking”, që asistoi në këtë tragjedi, në gomone ishin rreth 130 vetë.

Gomonia kishte tentuar të kalonte detin edhe pse kushtet atmosferike nuk ishin të mira. Ajo ishte nisur nga veri-lindja e Tripolit (kryeqyteti i Libisë). Deri më tani janë gjetur të shpërndarë në det trupat e 13 personave, por ka qenë e pamundur rikuperimi i tyre për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Ende vijojnë kërkimet për gjetjen e personave ende gjallë.

Anija “Ocean Viking” ka bërë të mundur shpëtimin e disa personave, por mjaft të tjerë ende rezultojnë të humbur. Sipas mediave vendase, orët e fundit janë nisur nga Libia disa gomone, por 3 prej tyre kanë kërkuar ndihmë, pasi kanë qenë në rrezik mbytje. Dy prej tyre kanë qenë shumë larg bregut dhe moti i keq, deti me dallgë deri në 6 metra, e ka bërë të vështirë rikuperimin e tyre.