Pavarësisht situatës kritike në spitalet Covid të kryeqytetit, por edhe në ato rajonale tashmë, pavarësisht shtimit të numrit të viktimave dhe të të infektuarve, Komiteti Teknik i pandemisë nuk ka ashpërsuar masat. Edhe pse mbrëmë u përfol për masa shtesë, kjo nuk është zyrtarizuar sot. Në daljen para mediave, anëtarët e këtij komiteti ka rikonfirmuar orën policore nga 20:00 deri në 06:00.

Zv.ministrja e shëndetësië, Mira Rakacolli tha: “Situata në vend vijon që të jetë delikate, që do të thotë se do të monitorohet me vëmendje. Kemi një situatë të qëndrueshme, me një tendencë uljeje në javën që lamë pas. Do të mbetemi në të njëjta masa kufizuese, që kanë qenë në fuqi deri më sot”.

Masat që mbeten në fuqi janë:
– Kufizohet lëvizja nga ora 20:00-6:00 me përjashtim të emergjencave dhe nevojave për punë;
– Aktiviteti i bareve dhe restoranteve do të ndalohet nga ora 20:00 deri në 06:00;
– Kalojnë në mësim online shkollat e mesme në bashkitë Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz;- Zgjatet sezoni i provimeve për universitetet, që të sigurojnë kombinimin e provimeve online dhe në auditor”.

Shefja e ISHP, Albana Fico shtoi: “Në të gjithë këtë proces kemi qenë tejet të vëmendshëm për monitorimin e shifrave. Mesatarja ditore e javës së 7-të të rasteve të konfirmuara është rritur. Incidenca dyjavore sipas gjetjeve të ISHP ka një tendencë uljeje. Dua të sjell në vëmendje që pjesë e një diskutimi të gjerë është fakti se moshat kanë ndryshime dinamike.

Ne kemi thënë se ka një rritje të numrit të rasteve në mosha të reja, në masën 79%, të testuar pozitiv. Në fund të ditës, prekja e këtyre moshave mund të ndryshojë vetëm nëse jemi të kujdesshëm me impementimin e masave të thjeshta, por mendoj se ky është momenti për të bërë apel dhe për të qenë të qartë se nuk e kemi kaluar dhe fituar këtë betejë.

Fillimi i vaksninimit është fillimi i atij rrugëtimi për të parë dritën në fundin e tunelit, kjo nuk duhet të na vetëkënaqë, por të na bëjë më të kujdesshëm në respektimin e masave”.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj nënvizoi: “Fakti pozitiv është kontrolli pozitiv i indikatorëve, ku ka një ulje të telefonatave për ndihmë ditët e fundit. Numri i shtrimeve në spital ka kaluar nga 44 që ishte më 8 janar në 100 shtrime gjatë shkurtit, duke arritur pikun në 118 shtrime më pas. Numri i shtrimeve ka rënë nën 100, duke kuptuar se masat e marra dy javë më parë kanë sjellë një ulje të numrit të shtrimeve. Situata më problematike mbetet në Tiranë, më pas vijnë qytetet e tjera. Këto janë të dhënat e deritanishme që janë grumbulluar nga qendra e Urgjencës Kombëtare”.