Fizik i gdhendur, gjithmonë i buzëqeshur dhe me muzikën në gjak. Mirë se erdhët në botën e Arturo Vidal, 35 vjeç, mesfushor i Inter-it, nga 2020-a, dhe i kombëtares së Kilit.

Arturo ka veshur disa fanella prestigjioze përveç asaj zikaltër: Bayer Leverkusen (2007-2011), Juventus (2011-2015), Bayern Munich (2015-18) dhe Barcelona (2018-20). Kur nuk është në fushë, ai i dedikohet pasioneve të tij më të mëdha.

Sporti – Rregulli i parë: shumë stërvitje. Në fushë, por edhe jashtë. Arturo-s i pëlqen shumë të stërvitet në palestër, ku preferon të zhvillojë kryesisht ushtrime për krahët dhe për fuqizimin e këmbëve.

Ndonjëherë stërvitet edhe me partneren e tij, Sonia Isaza, influencer dhe shumë në formë. Kuajt janë pasioni tjetër i madh. Kiliani, në atdhe, ka një stallë kuajsh që e menaxhon bashkë me kushëririn. “Nga kuajt kam mësuar finsikëri dhe nder”, ka thënë ai.

Në skarë – Si çdo amerikanojugor, edhe ai adhuron mishin në skarë. Një gjë që Vidal e bën shpesh dhe gatuan për shokët ose familjarët. Megjithatë, pjata e tij e preferuar është e kuzhinës italiane. Në fakt, duket se kiliani ka një pikë të dobët për karbonarën.

Pasionet – Arturo është një djalë i thjeshtë, i pëlqen të ekzagjerojë vetëm me flokët dhe tatuazhet. Nuk rresht së mahnituri me paraqitjen e tij! Në ditët e fundit ka shfaqur një kreshtë të bardhë duke çmendur ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Për sa u takon tatuazheve: ka shumë dhe kurrizi i tij është i mbuluar me to. E veçanta është se kiliani i vizaton vetë tatuazhet e tij!

Familja – Vidal është shumë i lidhur me origjinën dhe familjen e tij: është i dyti i gjashtë fëmijëve, tre meshkuj dhe tre femra, të rritur nga mamaja Jaqueline, pasi babai Erasmo e braktisi familjen kur Vidal ishte 5 vjeç. Ka patur tre fëmijë me ish-gruan Maria Teresa, dy djem dhe një vajzë: Alonso, Elisabetta dhe Emiliano.