Sa herë përmendet emri i Dua Lipës, të gjithë ndihen krenarë që janë shqiptarë. Artistja e njohur botërore me origjinë shqiptare ndodhet prej dy ditësh në Kosovë, teksa po zhvillohet një nga eventet më të mëdha të muzikës të themeluar nga ajo dhe familja e saj, “Sunny Hill Festival”.

Sakaq, pas performancës së jashtëzakonshme ditën e djeshme, këngëtarja shqiptare është nderuar ditën e sotme nga vendlindja e saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur ditën e sotme në ambientet e Presidencës artisten shqiptare ku e ka njohur me vendimin për ta shpallur Ambasadore Nderi të Republikës së Kosovës.

Ky titull kaq i veçantë dhe honorifik vjen për shkak se Dua Lipa e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë të njohur vendlindjen e saj kudo në botë, teksa e ka kthyer Kosovën në kryeqendër të kulturës botërore përmes festivalit.

Osmani e falenderon Duan edhe për kontributin që jep për të prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës në botë, si edhe e fton të ndihmojë shtetin e saj për liberalizimin e vizave.